Zbulo të panjohurën

21 vjet nga masakra e Reçakut – Toka që ushton nga dhimbja

Mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, fshati u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe. Në vendin që aso kohe pakkush ia dinte emrin, u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, në mesin e tyre edhe një grua e moshuar, trupi i së cilës ende nuk është gjetur

Fshati Reçak i Komunës së Shtimes, i cili gjendet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, dy dekada më parë, bëri kthesë të madhe në historinë të Kosovës. I mbijetuari i kësaj masakre rrëfen për KosovaPress, tmerrin që përjetuan mëngjesin e hershëm të vitit ’99. Ramë Shabani, 52 vjeçar tregon se rreth 30 banorë të fshatit, atë ditë ishin strehuar në bodrumin Sadik Osmanit, shtëpia e të cilit edhe sot mban shenjat e plumbave që u shkrepën atë ditë.Nga aty Rama me mbi 30 banorë tjerë të fshatit, me duar të vendosura prapa, ishin nisur drejt malit.

Rrugës kriminelët serbë kishin rrahur e malltretuar ata. Ndërsa, ai i ka të freskëta ende pamjet e tmerrshme që kishte parë atë mëngjes.Në malin e “Bebushit”, po qëndronin policë tjerë serbë, të cilët nuk hezituan të kryejnë vepra makabre ndaj popullatës civile të paarmatosur.

Ai në mbrëmje kishte parë vëllain dhe dhjetë familjarë të tjerë të cilët barbarisht e në gjendje të tmerrshme ishin vrarë e masakruar.

Po atë ditë në pjesën tjetër të fshatit, Xhemajl Beqirit i është vrarë nipi 12 vjeçar, Halimi, vëllai dhe katër familjarë të tjerë.Xhemajli kishte vazhduar poshtë fshatit, ku së bashku me dhjetëra banorë, kishin arritur t’i shpëtonin plumbave të policëve serbë.

Tre muaj para masakrës së Reçakut në Kosovë ishte vendosur Misioni Verifikues i OSBE-së. Detyra e monitoruesve ndërkombëtarë ishte që të siguroheshin që po ndaleshin luftimet mes forcave serbe dhe UÇK-së.Shefi i misionit ishte William Walker, një ish diplomat amerikan, shkoi në Reçak një ditë pas masakrës, ku nga ajo çfarë kishte parë, ai kishte thënë se kjo është një krim i rëndë kundër njerëzimit. Masakra e Reçakut ishte pjesë e aktakuzës së Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, kundër ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq dhe disa zyrtarëve tjerë serbë. Procesi ka mbetur në gjysmë pas vdekjes së tij dhe askush nga të akuzuarit nuk u dënua për krimet e kryera në Reçak.Për të gjitha këto Xhemajl Beqiri nga Reçaku në vitin 2002, kishte dëshmuar para Tribunalit të Hagës, për mëngjesin e 15 janarit, kur policia është futur në atë fshat dhe së bashku me 12 familje të tjera të lagjes ishin nisur në drejtim të malit për të gjetur strehim. Ai aty kishte përmendur emrat e disa prej serbëve që kishte identifikuar në aksionin e ditës kritike.Pas kësaj dëshmie, Beqiri thotë se askush nuk e ka pyetur më, e as që është ndërmarrë diçka.

Pasi William Walker u largua nga fshati, banorët i mblodhën trupat e pajetë dhe i vendosën në xhami, ku pritej të bëhej varrimi. Ishte i pamundur për gati tri ditë dhe gjatë kësaj kohe rifilluan luftimet mes forcave serbe dhe UÇK-së. Gjatë gjithë kohës forcat serbe, mohonin se kishin vrarë civilë dhe thonin se të vrarët ishin pjesëtarë të UÇK-së, të cilët ishin vrarë në luftime.Ashtu siç po mohojnë edhe pas dy dekadave…Javë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e kishte quajtur trillim këtë masakër, ku u vranë e u masakruan mbi 40 persona. Ramë Shabani, i cili i mbijetoi këtij gjenocidi, në gjep ende mban disa fotografi, ku shihet Banush Ademi, plaku 99 vjeçar, të cilit iu kishte hequr koka, e po ashtu trupat e masakruar të cilët u vendosën në xhami pas disa ditësh.Për këtë Bardhyl Mahmuti nga qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, thotë për KosovaPress, se çështja e gjenocidit është e lidhur me mohimin e tij. Ata që e bëjnë atë ndaj një kombi të caktuar, sipas tij, e kanë strategjinë edhe për ta fshehur atë.

Sipas tij, propagandë bëhet edhe me terminologjitë e përdorura.

Hasan Metushi që dy dekada po mundohet të gjejë ngushëllim pranë varrit të nënës së tij, i cili është i zbrazët. Shumë pranë shtëpisë së tij, ndodhet ky kompleks memorial, ku prehën mbi 40 trupa të masakruar nga forcat ushtarake dhe policore serbe.

Metushi shpreh zhgënjimin ndaj institucioneve të vendit, sipas të cilit shumë pak është punuar gjatë këtyre viteve për zbardhjen e fatit të tyre.

Deklarata e Vuçiqit, thotë se ua ka hapur edhe një herë plagët banorëve të këtij fshati, e për këtë kërkon nga institucionet e Kosovës që të mos ketë dialog pa njohjen e krimeve. Të gjithë këto krime që janë bërë në Kosovë, po dokumentohen edhe përmes librave e fakteve të ndryshme. Profesori Jusuf Osmani pas luftës kishte shkuar në secilën fshat të Kosovës, për të mbledhur dëshmi për masakrat që u bën.

Trupat e të masakruarve janë varrosur pak metra më larg fshatit tek Kompleksi Memorial, ku valëvitet flamuri kombëtarë. Këtu është ngritur edhe statuja e William Walkerit, njeriu i cili për herë të parë masakrën e Reçakut e cilësoi krim kundër njerëzimit.