Zbulo të panjohurën

Autostradë dhe hekurudhë, pas pak Vuçiq e Thaçi vendosin firmat me ndërmjetesim të Grenellit

Pas pak minutash, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësim të ambasadorit Grenell, pritet që ta nënshkruajnë Letrën e shprehjes së interesit për autostrada dhe Letrën e shprehjes së interesit për hekurudha me të cilat Kosova dhe Serbia shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në, raporton Express.

Me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, njëkohësisht edhe i dërguari i Presidentit amerikan Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Kosova dhe Serbia do të nënshkruajnë letrat me të cilat shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve që janë pjesë e korridoreve hekurudhore e rrugor që lidhin kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor me njëri tjetrin dhe tutje me Evropën.

Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada Amerikane në Berlin, përmes një postimi në Twitter.

“Duke ndodhur tani- ora 9:30 në Mynih, ambasadori Grenell do të shoqërohet nga Presidenti Vuçiq dhe Presidenti Thaçi për ceremoninë e nënshkrimit për marrëveshjen për hekurudhën dhe autostradën mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në postimin e ambasadës.

Ndryshe, para një muaji, palët kanë nënshkruar nga një Letër të shprehjes së interesit për hapjen e korridorit ajror në mes Prishtinës dhe Beogradit.