Zbulo të panjohurën

Dega e LDK-së në Malishevë kërkon masa ndaj Osmanit, Rexhepit e Avdylit

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Malishevë, nëpërmes një letre drejtuar kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar që të merren masa ndaj atyre që nuk i respektojnë Statutin dhe vendimet e partisë.

Ndonëse nuk ia kanë përmend emrin, kërkesa ka të bëjë me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe dy deputetët e kësaj partie, Fatmir Rexhepi dha Haxhi Avdyli, të cilët nuk votuan për qeverinë e kryeministrit të LDK-së, Avdullah Hoti, dhe u rreshtuan në krahun e Vetëvendosjes.

“Në të gjitha situatat edhe në ato të krizave politike, po gjinden individë apo grupe të caktuara brenda Kryesisë së Degës në nivel lokal dhe të deputetëve të Parlamentin e Kosovës, të cilët sipas tekeve të veta dhe egove personale, apo interesave grupore, nuk i respektojnë vendimet e marra me shumicë, si në nivel lokal ashtu edhe në nivelin qendror”, thuhet në kërkesën e Degës së LDK-së në Malishevë.

Në kërkesë thuhet se tanimë kjo situatë është shumë e dukshme, prandaj Kryesia e LDK-së në Malishevë kërkon nga Kryesia qendrore e LDK-së, që për shkak të situatës së krijuar në strukturat e LDK-së, në qendër dhe në degë, zbatimin me përpikëri të masave që rrjedhin nga Statuti i LDK-së, “ndaj abuzuesve dhe shkelësve të Statutit dhe për mosrespektim të vendimeve të organeve më të larta të LDK-së”