Zbulo te panjohurën

Ëndrra e blertë e Edona Kryeziut

Edona Kryeziu nuk ka pasur kundërshtarë vetëm në fushë të gjelbër.Nëse brenda vijave të bardha të fushës ajo është dashur të garojë me rivalët, jashtë saj është përballur me betejë edhe më të rëndë. Të cilën e ka fituar.Kanë qenë paragjykimet se “futbolli është sport i burrave” ai që i ka rënë në vesh dhe i mbetet ende si i tillë në ditët e para kur rrethi i Edona Kryeziut kishte dëgjuar se ajo kishte nisur të merrej me një sport jo fort të përhapur ndër moshataret e saj. Edona kryeziu nga Kamenica është futbolliste.

Dhe jo çfarëdo.Si e vogël, Edona e kishte nisur futbollin në lagje, me shokët në fshatin Rogoçicë të komunës së Kamenicës.Ishte vetëm ajo dhe një shoqe e saj që e admironin futbollin dhe vetëm që të luante futboll, pranonte që në gara të futsallit të luante edhe me djem.Edona, tani 23 vjeçare, është kapitene e Kombëtares së Kosovës në futboll në kategorinë e vajzave. Ajo është një vajzë që personifikon vështirësinë, sakrificën, talentin dhe përkushtimin për t’i prekur ëndrrat e saj.

“Fillimisht me futboll kam filluar të ushtroj nëpër lagje me djem duke luajtur. Pastaj në shkollë në gara me djem gjithashtu. Po ashtu e kam pasur edhe një shoqe në klasë që edhe ajo e ka pasur dëshirë futbollin”, tregon fillimisht Kryeziu për KALLXO.com.Udhëtimi i parë në Prishtinë

Edona kryeziu, futbolliste e KF ‘Mitrovica’ dhe kapitene e kombëtares së Kosovës. Foto: Atdhe Mulla
Liderja e “Dardaneve” tregon se prindërit e kishin sjellë në Prishtinë për herë të parë si 12 vjeçare, në klubin e futbollit Prishtina. Më herët nuk i kishte rënë rruga për në kryeqytet.Trajnerja e atëhershme e klubit Afërdita Fazlija tash është selektore e kombëtares së Kosovës për vajza.

“Shoqja e ime e kishte kuptuar që në Prishtinë është një klub i vajzave që luajnë futboll. Ajo ka ardhë për herë të parë me babain e vet në Prishtinë, pastaj më tregoi edhe mua. Unë i thash babait që me më pru në klubin e Prishtinës”, kujton Edona.Por krahas përballjes me sfidën e konkurrencës brenda ekipit, për Edonën kishte tjera telashe jashtë fushës.Asaj iu desh që të udhëtojë rreth 180 kilometra shkuarje ardhje nga Kamenica në Prishtinë për të marrë pjesë në stërvitjet e klubit,“Gjithmonë babi më sillte në stërvitje sepse nuk e dija as rrugën se isha e vogël, sepse nuk më ka ra me udhëtu vet diku pak më larg”, thotë ajo.

Kurse Afërdita Fazilja, tregon për KALLXO.com, ditën kur Edonën e kishin sjellë prindërit e saj që ta regjistrojnë në klubin Prishtina.Emocionet e futbollistes së vogël ajo thotë se do t’i mbajë mend gjithmonë.“Më kujtohet dita e parë kur Edonën e kanë pru prindërit me e regjistru, u riaktivizua klubi Prishtina. Edhe nuk mundem asnjëherë me i harru emocionet kur jam takuar me prindërit e saj edhe kërkesën e Edonës që të regjistrohet në klubin Prishtina të vajzave”, tregon Fazilja.Në një takim me prindërit, nëna e Edonës i kishte kërkuar trajneres që regjistrimin në klub ta shtynte për më vonë për shkak të shqetësimeve të saj rreth udhëtimit të Edonës.

“Një qëndrim ndoshta të baraspeshuar të babait, mirëpo një ndikim nga nëna e saj, që ka pasë shumë dëshirë me ardhë në Prishtinë me luajt futboll vajza e saj, mirëpo“Nëna e saj thoshte që nuk është e gatshme, sepse është e vogël edhe prej natyrës është pak thatanike”, kujton Afërdita Fazlija.“A mundesh ti me i fol me e bind Edonën, që Edona duhet me prit edhe pak se është shumë larg prej një fshati të Kamenicës me ardhë në Prishtinë”, citon Fazlija fjalët e nënës së saj.“E dëgjova më vëmendje, brengat e nënës së Edonës ishin brenga reale për një fëmijë 12 vjeç me udhëtu prej një fshati të Kamenicës në Prishtinë, ish goxha e vështirë”, tregon ajo.

Edona dhe prindërit e saj duhej të llogarisnin që çdo herë që ajo shkonte në stërvitje i duheshin së paku katër orë për udhëtim dhe kjo i bëntë familjarët të brengosur.Përveç kësaj, edhe obligimi financiar i mbulimit të shpenzimeve për udhëtim paraqiste problem.Edona thotë se ka pasur raste kur i ka humbur stërvitjet për shkak se nuk kishte pasur para për ta paguar udhëtimin ndërsa në rastet kur stërvitjet mbaheshin në orët e vona të ditës, asaj i është dashur të kërkojë strehim te shoqet në Prishtinë.“Fillimin e kam pasur shumë të vështirë sepse nuk jemi paguar, rruga ka qenë ka qenë shumë larg dhe nuk është që ka pas shumë telefona për me komuniku me familjarë, janë bërë merak a kam mbërri”, kujton ajo.

“Ndonjëherë kemi pasur ndonjë lojë shumë vonë kam mbetur në mbrëmje në Prishtinë dhe detyrimisht më është dashur që të shkoj te ndonjë shoqe që të kaloj natën, ka pasë shumë vështirësi”, thotë Edona kryeziu.“Ndonjëherë edhe për para kam mbetur keq dje nuk kam shkuar as në ushtrime, problem ka qenë”, thotë ajo teksa kujton vështirësitë me të cilat është përballur në fillimin e karrierës.Futbolli është edhe për vajza

Edona kryeziu, futbolliste e KF ‘Mitrovica’ dhe kapitene e kombëtares së Kosovës. Foto: Atdhe Mulla
Ndërkohë që ajo e kishte ndarë mendjen për të bërë karrierë të futbollistes, anash ajo dëgjonte zëra që i thoshin që mos mos merrej me këtë sport.

Futbolli i vajzave ka një histori të shkurtër në Kosovë ndërsa ende nuk e ka arritur popullaritetin.Superliga a vajzave në futboll ka 12 ekipe ndërsa KF ‘Mitrovica’ ku aktualisht luan Edona Kryeziu është e para në tabelë me 18 pikë pas 6 xhirove me 71 gola të shënuarNdërsa Kombëtarja e Kosovës në kategorinë e vajzave bën pjesë në Grupin A për kualifikimet e “Euro 2021”. Nga tri tri ndeshje që i ka luajtur deri tani, kjo Kombëtare ka shënuar dy fitore dhe një humbje. Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan ndaj Sllovenisë në Prishtinë.Por ngritja e shpejtë në karrierë dhe sukseset e treguara gjatë rrugës, nuk i ndalën paragjykimet ndaj Edonës.

“Ka pasur shumë paragjykime përveç këtyre se gjithmonë thoshin ‘ju vajzat nuk jeni për futboll’ dhe se ‘futbolli është vetëm për burra’. Pastaj kam pasur pyetje ‘çka luan?’ e kur unë përgjigjesha që luaj futboll reagimi i njerëzve ishte “me këmbë a me dorë”, pasi nuk kanë qenë të informuar për futbollin e vajzave”, thotë Edona Kryeziu.“Kjo ka qenë shumë e rëndë për mua”, shpjegon ajo.Liderja e Kosovës tregon se është pjesë e “Dardaneve” prej vitit 2008, për plot 11 vjet ndërsa tani e mban shiritin e kapitenes.“Atëherë kur kemi filluar grumbullimet e para me trajneren Afërdita Fazlija nuk kam munguar asnjë grumbullim deri më tash. Pastaj trajnerja dhe stafi e kanë fituar besimin te unë, si lojtare dhe si person si karakter, kanë vendosur me më bërë kapitene që është një ndjenjë shumë e mirë me të besu ty me qenë lideri i një kombëtare”, thotë për KALLXO.com.

Fati i mirë në futboll e ndoqi deri në fillim të vitit 2019. Ajo luante pa ndalur dhe ishte ‘imune’ ndaj lëndimeve.Por kah fundi i kampionatit të sivjetmë, përderisa po luante një ndeshje kampionale kundër Feronikelit të Drenasit, rivalit të drejtpërdrejtë për titull, Edona Kryeziu pësoi një lëndim të rëndë në gju për të cilën iu desh t’i nënshtrohej një operacioni.Lëndimi po e mban ende jashtë fushës së futbollit.

Edona kryeziu, futbolliste e KF ‘Mitrovica’ dhe kapitene e kombëtares së Kosovës. tregon lëndimin që e pësoi këtë vit. Foto: Atdhe Mulla
“E kam pasë topin pastaj e kam pasur një duel. Kur e kam parë gjurin që mu ka nda përgjysmë, jam tmerruar, pastaj të nesërmen jam operuar te Qerim Kida, i cili më ka ndihmuar shumë”, tregon ajo e mërzitur.Për financat rreth operimit i kishte ndihmuar FFK-ja, por edhe klubi i saj “Mitrovica”. Ajo e falënderon Afëridta Fazlijen dhe Hajrullah Haxhiun, për ndihmën e dhënë të cilët e kanë motivuar që të vazhdojë rikuperimin.“Rreth financave për operim më ka ndihmuar FFK-ja, po gjithmonë klubi ka qenë afër meje, kryetari Hajrullah Haxhiu i cili gjithmonë më ka përkrah, edhe trajnerja Afërdita Fazlija ka qenë afër meje, të cilët i falënderoj shumë. Këta dy janë më meritorët që po motivohem me u rikthye sa më shpejt që të luaj edhe për kombëtare edhe për ekip sepse kam përkrahje shumë prej tyre”, tregon futbollistja nga Kamenica.‘Ikona e futbollit kosovar për vajza’Ajo tregon se e ka përjetuar rëndë lëndimin, pasi kishte luftuar gjatë tërë sezonit që të jetë pjesë e garave ndërkombëtare me Mitrovicën në Ligën e Kampionëve.“Ndoshta futbollistet tjera nuk e di se si mund të ndjehen ato, por unë e kam përjetu shumë rëndë. Normal të gjithë kampionatin kam luajtur për me lujt në Ligën e Kampionëve edhe në fund nuk kam mundur të luaj, pasi jam lënduar, por me rëndësi klubi është shpallur kampion dhe janë ato që e kanë kaluar grupin edhe e kanë shkru historinë për herë të parë në Kosovë, që nuk e ka arritë asnjë klub. Jam shumë e lumtur për këtë sukses edhe pse vet nuk kam luajtur, por është klubi që unë luaj”, shprehet e lumtur Kryeziu, për suksesin e klubit të Mitrovicës.

Kur u pyet për mungesën e saj për Kombëtaren e Kosovës, për dy ndeshjet kualifikuese për “Angli 2021”, ndaj Turqisë, të cilën “Dardanet” e fituan me rezultat 2-0, dhe ndaj Sllovenisë të cilën e humbën me rezultat 5-0, ajo nuk mundi t’i mbante lotët.“Për mua është shumë e vështirë të mos jem prezent, sepse që nga grumbullimet e para kur ka filluar Kombëtarja e Kosovës, asnjëherë nuk kam munguar. Tash janë lojërat zyrtare, është shumë problem për mua me u pajtu me këtë fakt që po mungoj, por lëndimet janë pjesë e sportit… Shpresoj që për me Rusinë të rikthena, me i motivu vajzat më shumë dhe të dalim me një rezultat të mirë”, thotë ajo.Afërdita Fazilja, e përshkruan Edona Kryeziun, si modeli real se si ka filluar futbolli i vajzave në Kosovë e deri më sot.“Edona Kryeziu është modeli, është e mira, është vështirësia. Thjesht janë rrethanat reale se si ka filluar futbolli i vajzave në Kosovë deri në ditët e sotme”, thotë Fazlija.Ajo thotë se Edona Kryeziu është ikonë për futbollin kosovar të vajzave.“Ardhja prej Kamenicës në Prishtinë ka qenë shumë e mundimshme, për arsye se ajo u dasht me i ndërru tre autobusa me ardhë, tre autobusa me u kthy, mirëpo definitivisht kur sot flas për Edonën, që lirisht mund të llogaritet si ikonë e futbollit të femrave të Kosovës, mundem me besu që entuziazmin dhe dëshirën që e ka pasë në moshën 12 vjeçare që të jetë pjesë e një klubi të futbollit në kryeqytet të jep me besu që ato vajza që e kanë besimin, guximin edhe dëshirën për një profesion të caktuar në këtë rast për futboll mujn me arritë”, thotë Fazlija.