Zbulo te panjohurën

Taksa 100% – Isa Mustafa tregon se çfarë do të bëj LDK në rast se merr drejtimin e qeverisë

Kryetari i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e reja në Kosovë duhet të vlerësojë mirë çështjen e tarifave ndaj mallrave serbe të cilat sipas tij. nuk mund dhe nuk duhet të hiqen lehtë. Në intervistën me korrespondentin tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, zoti Mustafa tha se partia e tij do të donte të konkurronte vetëm në zgjedhjet që pritet të mbahen nga fundi i shtatorit apo fillimi i tetorit, por nuk përjashtoi mundësinë e ndonjë koalicioni parazgjedhor.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafa, të shtunën ju u rizgjodhët kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në një kuvend që nxiti kritika të disa anëtarëve të partisë tuaj për mënyrën e rizgjedhjes. Si ju përgjigjeni?

Isa Mustafa: Mendoj dhe jam i bindur që ka qenë një proces shumë demokratik, ka qenë një kuvend demokratik me procedura krejtësisht statutare, kanë marr pjesë prej 355 delegatëve që ka kuvendi në bazë të statusit 350 delegatë. Të gjithë ata kanë marr pjesë në votim dhe kanë vendosur ashtu siç delegatët e kanë konsideruar që është e drejtë dhe është disponim dhe orientim i tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafa, cilat do të jenë objektivat tuaj gjatë këtij mandati, duke pasur parasysh që vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve të parakohshme?

Isa Mustafa: Tani objektiv themelor është që t’i fitojmë këto zgjedhje dhe do të mundohemi maksimalisht që të aktivizohen të gjitha potencialet tona të brendshme, të gjitha kuadrat të njerëzve që janë tani, strukturat e LDK-së, të hapim dyert e LDK-së edhe për tjerët; për ekspertë për njerëz që mund të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, qëndrueshmërisë së vendit, shtetit ligjor për çka kemi shumë nevojë. Këtë proces ta kryejmë dhe të përgatitemi pastaj për zgjedhjet lokale sepse edhe ai pason pas dy viteve, për të cilat jemi të interesuar që t’i mbajmë këto komuna dhe t’i fitojmë komunat e mëdha siç është Prishtina, Prizreni që do të thotë objektivisht i takojnë LDK-së sepse i ka qeverisë dhe qeverisë më së miri. Ndërkaq sa i përket LDK-së. jam shumë i interesuar që të zgjerojmë radhët e LDK-së, që të shtojmë numrin e anëtarësisë dhe numrin e simpatizantëve e veprimtarëve tanë sidomos nga radhët e grave, të rinjve dhe ngadalë të krijojmë një kohezion të gjeneratave, sepse jemi e vetmja parti që i ka mbushur sivjet 30 vjet dhe brenda saj ka së paku tre gjenerata të cilat në mënyrë të shkëlqyeshme po bashkëpunojnë njëra me tjetrën, mirëpo duhet gjithsesi t’i japim hapësirë që çdonjëra ta ndjejë vetën që është pjesë e vendimmarrjes dhe është pjesë e rëndësishme, të themi, e tërë motorikës së LDK-së.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafa ka pasur shumë kritika që keni bërë marrëveshje të brendshme ndërmjet juve dhe kryesisë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ndarje të posteve të ndryshme. Si ju përgjigjeni këtyre kritikave?

Isa Mustafa: Marrëveshje nuk kemi bërë për ndarje të posteve. Marrëveshja jonë themelore ka qenë që ne të orientojmë procesin, të organizojmë një kuvend i cili do të funksiononte mirë edhe të gjejmë një harmoni në mes nesh sa i përket gjithë kësaj dhe këtë e kemi bërë dhe kemi bashkëbiseduar gjatë më bashkëpunëtorët, me anëtarët e kryesisë, me anëtarët e degëve me të gjithë ata që objektivisht e drejtojnë punën e LDK-së. Gjithmonë kemi deklaruar dhe ashtu kemi vepruar që nuk e mbyllim derën për askënd që të vijë dhe të kandidojë për kryetar të LDK-së edhe nga anëtarët e kuvendit dhe gjithë ata që janë deklaruar përpara se do të kandidojnë prandaj procesi ka qenë i hapur për të gjithë. Procesi ka qenë i hapur edhe për njerëzit e mi brenda kryesisë dhe kryetarëve të degëve, por vlerësimi i tyre ka qenë kështu si u përmbyll. Ne kemi lënë këtë mundësi dhe unë mendoj se procesi ka qenë krejt i drejtë dhe askush nuk mund të thotë se të themi se nuk ka pasur hapësirë që të kandidojë dhe ta verifikojë vetën para votave të delegatëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafa, aktualisht Kosova ka mbetur pa qeveri pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj pas një thirrjeje për t’u paraqitur para Prokurorisë së Posaçme në Hagë. Si e keni parë veprimin e zotit Haradinaj?

Isa Mustafa: Zoti Haradinaj në fillim e arsyetoi këtë veprim se nuk dëshiron të shkoj në Hagë si kryeministër, por dëshiron të shkoj në Hagë si person privat. Mirëpo, faktikisht nuk ndodhi sepse në Hagë shkoi si kryeministër i dorëhequr, do të thotë prapë kryeministri apo kryeministri në dorëheqje është i njëjti pozicion me pak dallime sa i përket aktit të dorëheqjes. Ne e kemi vlerësuar se është çështje e tij dhe vlerësimeve të tij por nuk i kemi dhënë, të themi karakter tjetër politik. Ka pasur edhe vlerësime tjera, në fakt po shihet se tani vendi është në një situatë mjaft të keqe sepse as me kushtetutë nuk është definuar mirë se çfarë ndodh pasi të jap dorëheqje të pakthyeshme kryeministri, se a është më kryeministër a jo, a janë ministrat më ministra apo jo, a është qeveria më qeveri apo nuk është dhe në këtë rast konsideroj që shpëtimi është që të shkojmë sa më shpejt në zgjedhje dhe më vonë natyrisht do të shohim ta plotësojmë kushtetutën në këtë pjesë në mënyrë që të mos kemi boshllëk kushtetues më tutje të cilat pastaj lënë vakum të veprimit të njerëzve të cilët e kanë shpallur vetën së pari që nuk janë më kryeministra por vazhdojnë të ushtrojnë këtë detyrë.

Zëri i Amerikës: Shumë kritikë thonë se zoti Haradinaj ka kalkuar me dorëheqjen e tij në një periudhë telashesh të brendshme të koalicionit qeverisës. Si e shihni ju këtë?

Isa Mustafa: Unë jam i bindur që po të mos ndodhte kjo dorëheqje do të thotë qeveria do të shkarkohej në shtator sepse ne kemi pasur mocionin e mosbesimit të përgatitur. Kemi llogaritur që më mirë është të shkojmë në shtator me mocion mosbesimi në mënyrë që gjatë shtatorit përkatësisht në fillim të tetorit të shkojmë në zgjedhje të reja. Si veprim të dorëheqjes zoti e Haradinaj e ka bërë me kohë sepse është shpëtuar që të mos shkarkohet, mos t’i shpallet mosbesim dhe ka bërë këtë. Dhe nga ata që ka prit përkrahje, vota populliste, mendoj se i ka realizuar ato sepse njerëzit në një formë për shkak të vet thirrjes së tij në Hagë, pra ka qenë dy herë që unë konsideroj që ka qenë një e padrejtë që njeriu i cili e ka vërtetuar vetën para ligjit dhe para drejtësisë ndërkombëtare të thirrët për të tretën herë, por prapë ko çështje mbetet çështje e drejtësisë.

​Zëri i Amerikës: Zoti Mustafa, kryesia e parlamentit vendosi që më 22 gusht të shpërndahet parlamenti. Cila sipas jush është periudha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve?

Isa Mustafa: Në bazë të kushtetutës është e mundësuar që zgjedhjet të mbahen në afatin prej 30 deri 45 ditë. Unë vlerësoj që do të ishte mirë që të shfrytëzohet kjo periudhë në mënyrë që zgjedhjet të mbahen në momentin kur njerëzit janë në Kosovë, kur janë nxënësit dhe studentët në Kosovë dhe kur të stabilizohet viti shkollor kur edhe fillon viti akademik në Kosovë dhe unë mendoj se këtë duhet ta ketë parasysh edhe parlamenti sepse ne as nuk fitojmë as humbim për dhjetë apo 15 ditë të themi në pikëpamje politike por vendi fiton sepse është mirë që të mundësojmë që sa më shumë njerëz të marrin pjesë në zgjedhje gjatë kësaj periudhe kohore. Prandaj llogaris unë që do të jetë diku ka fundi i shtatorit, fillimi i tetorit, janë periudha në të cilat ne duhet të kemi ditën e votimit.

Zëri i Amerikës: Qeveria që është në largim është përballur me muaj të tërë me një trysni nga faktori ndërkombëtar për pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe. Sipas jush, si duhet të veprojë një qeveri e re që do të dal nga zgjedhjet e ardhshme lidhur me tarifat ndaj mallrave serbe?

Isa Mustafa: Unë mendoj që duhet të vlerësohet mirë çështja e tarifave. Tani nuk është mbetur vetëm çështje ekonomike po është bërë edhe çështje politike karshi levës e kushtëzimit dhe mos kushtëzimit të dialogut. Unë mendoj që ato tarifa nuk mund të hiqen lehtë dhe nuk duhet të hiqen lehtë, sepse ne nuk mund të heqim tarifat përderisa kemi probleme të lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë. Sot qytetarët e Kosovës po presin nga katër orë ose pesë orë në kufij për shkak të masave që ka marr Serbia dhe trajtimit të padrejtë të kufizimit të lëvizjes, të masave jo tarifore që po i merr Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar kurrë nuk ka bërë vërejtje edhe nuk ka bërë trysni te Serbia që të sillet ndryshe. Prandaj nuk mund të themi që ne po i heqim tarifat e ju vazhdoni dhe mbani gjashtë orë edhe dhjetë orë qytetarët tanë në kufij edhe merrni masa tjera jo tarifore. Kështu që është çështje mjaft komplekse e cila duhet të trajtohet mirë nga një qeveri e ardhshme e cila duhet të kushtëzohet me zbatimin e krejt marrëveshjeve që janë bërë me Serbinë edhe me sjelljen normale të Serbisë ndaj qytetarëve tanë dhe ndaj lëvizjes së lirë të mallrave edhe të njerëzve, të themi në këtë hapësirë të Ballkanit perëndimor.

Intervista e plotë