Zbulo të panjohurën

Koronavirusi, disa persona të tjerë shkojnë për teste në QKUK

Edhe gjatë ditës së sotme në Klinikën Infektive të QKUK-së kanë shkuar disa pacientë me dyshimet se janë prekur nga virusi Covid-19, apo i njohur ndryshe si koronavirusi.

Janë rreth pesë persona të cilët janë izoluar nga ekipet mjekësore, si dhe mostrat për të njëjtit pritet të publikohen gjatë ditës së sotme.

E ndërkohë ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, deklaroi se deri më tani, nga 82 personat e dyshuar për koronavirus, asnjë nuk ka rezultuar pozitiv me sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri, por masat janë ndërmarrë në përputhje me rekomandimet e OBSH-së dhe numrin në rritje të rasteve në vendet përreth Kosovës.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka vendosur që në përputhje me vendimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të shpallur gjendje pandemie në nivel global në lidhje me koronavirusin e ri, t’i ndërmarrë disa masa parandaluese, përfshirë edhe mbylljen e shkollave në të gjitha nivelet deri më 27 mars.

Mbyllja e institucioneve arsimore, do të pasohet me rekomandimin për lirimin e njërit prind nga puna, që të përkujdeset për fëmijën, por kjo masë, sipas ministrit Vitia, nuk do të vlejë për punëtorët shëndetësorë dhe ata të sigurisë.

Po ashtu, Qeveria ka marrë vendim që të pezullojë përkohësisht linjat ajrore dhe tokësore nga vendet me rrezik.

Masë tjetër është edhe kontrolli i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të Qendrave të Mjekësisë Familjare, në të gjitha hyrjet dhe daljet e Kosovës me mbështetje të Policisë së Kosovës.