Zbulo te panjohurën

Në PZAP dorëzohen 100 ankesa nga subjektet politike dhe kandidatët

Nga dita e djeshme kur edhe është shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë dorëzuar 100 ankesa nga partitë politike dhe kandidatë për deputetë.

Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku, tha se deri më tani janë paraqitur gjithsej 100 ankesa.

Prinë Partia e Pavarur Liberale (SLS) me gjithsej 42 ankesa, derisa për nga numri i ankesave e dyta radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me gjithsej 23 ankesa.


“Deri më tani janë dorëzuar në PZAP apo subjektet politike, kandidatët e tyre i kanë dorëzuar gjithsej 100 ankesa. SLS ka dorëzuar më së shumti ankesa 42, Lidhje Demokratike ka dorëzuar 23, Partia Demokratike ka dorëzuar 12 ankesa, koalicioni NISMA-AKR-PD ka dorëzuar 6 ankesa, Lëvizja Vetëvendosje 5 ankesa një parti tjetër serbe PKS ka dorëzua 4 ankesa dhe disa parti të vogla me dy apo një ankesë”, tha Desku.

Desku tha se kryesisht natyra e ankesave ndërlidhet me mos përputhje të rezultateve, derisa tha se prijnë kandidatët për nga numri i ankesave.

“Kryesisht kundërshtojnë rezultatet e zgjedhjeve mos përputhjen e rezultateve mungesa e votave kryesisht kjo është natyra e ankesave. Ka edhe të subjekteve por ka edhe të kandidatëve për shembull tek SLS të gjitha ankesat 42 janë prej vetë subjektit, edhe të Nisma ka edhe të subjektit edhe të kandidatëve pjesa tjetër mund të themi se është e kandidatëve”, deklaroi ai.

Sekretari i PZAP-së  tha se Paneli Zgjedhor ka kohë 72 orë që t`u jap përgjigje palëve të ankuara.

Pas pranimit të vendimit nga PZAP-i, subjektet politike që janë sërish të pakënaqura, kanë të drejtë të paraqitjes së ankesave në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve.

“Paneli është i obliguar që brenda 72 orëve të shqyrtojë, të vendos dhe të marr vendime dhe me vendime t’i njoftoj palët. T’iu përgjigjet palëve brenda 72 orëve, ndërsa ndaj vendimeve të PZAP kushdo që është i pakënaqur mund t’i kundërshtojë këto vendime në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve”, u shpreh Desku.

Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme Komisionit Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit ku prinë Lëvizja Vetëvendosje me gjithsej 220 mijë e 811 vota, apo shprehur në përqindje 26.159 përqind, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 206 mijë e 458 vota apo 24.458 përqind, Partia Demokratike e Kosovës ka 178 mijë e 645 vota apo 21.163 përqind, AAK-PSD ka marr 96 mijë e 883 vota apo 11.477 përqind, Lista Serbe 57 mijë e 15 vota apo 6.754 përqind, Nisma Socialdemokrate- Aleanca Kosova e Re- Partia e Drejtësisë ka 42 mijë e 72 vota apo 4.984 përqind, shkruan RTV21.