Zbulo te panjohurën

Probleme reperësh: Pronarët e diskotekës marrin kërcënime për koncertin e ‘Unikkatil’ në Gjilan

Mbrëmjen e kaluar një diskotekë në Gjilan ka njoftuar se këngëtari Viktor Palokaj, i njohur si ‘Unikkatil’ do të performojë sonte aty.

Reagimet për këtë njoftim kanë qenë të menjëhershme për shkak të një rivaliteti që kanë pasur dy grupe, ai i ‘Unikkatil’ dhe ai i Burim Osmanit i njohur për publikun si “Duda”.

Policia gjatë ditës se djeshme ka inicuar një rast kanosjeje për këtë çështje.

Sipas Zëdhënësit të Policisë në rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, dy ditë më parë me anë të messenger-it dhe Snapchat-it është kërcënuar një bashkëpronar i diskotekës “Stop” në Gjilan.

Sipas policisë, kërcënimet janë bërë për shkak të pjesëmarrjes së Unikkatil-it në mbrëmje muzikore Gjilan.

Në një foto të cilën e posedon KALLXO.com dhe e cila ka qenë e publikuar në llogarinë e reperit gjilanas Burim Osmani “Duda” në Facebook thuhet se “Gjak borgj me keni publikisht le ta dijnë krejt”, duke iu referuar dy bashkëpronarëve te diskotekës “Stop”.

Kjo fotografi me mesazh kërcënues nuk gjendet më në llogarinë e Osmanit.

Hashani i ka thënë KALLXO.com se një person është arrestuar dhe është intervistuar nga policia dhe më pas është ndaluar për 48 orë.

Sipas Hashanit, personi tjetër Duda, edhe ky i dyshuar, është kërkuar në shtëpinë e tij por i njëjti besohet se gjendet jashtë vendit.

Ky i fundit është i njohur për policinë për vepra të tjera.

KALLXO.com ka kërkuar një koment nga ‘Duda’ por ai nuk është përgjigjur deri në kohën e publikimit të këtij artikulli