Zbulo të panjohurën

LDK-ja publikon ofertën e saj: Kryeparlamentari t’i kalojë LDK-së deri në zgjedhjen e presidentit, qeveria 5 me 5

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka publikuar ofertën që ia kanë dorëzuar sot Lëvizjes Vetëvendosje.

Hoti ka thënë se kanë kërkuar kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e presidentit, e pastaj kryepalamentari i kthehet LV-së.

Numri i ministrive, ndërkaq mbetet 12, vetëm se bëhen disa ndryshime në strukturë.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. Partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për president të vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja”, thotë ai.

Si rezultat i kësaj marrëveshjeje deri në zgjedhjen e presidentit, VV-ja do ta ketë kryeministrin, nënkryetarin e parë të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq LDK-ja do t’i ketë kryetarin e Kuvendit, nënkryetarin e dytë të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.

Pas zgjedhjes së presidentit, të propozuar nga LDK-ja, VV-ja do të ketë kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, nënkryetarin e parë të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq LDK-ja do të ketë presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si president vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe nënkryetarin e dytë të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.