Zbulo të panjohurën

Ngritet aktakuzë ndaj dy zyrtarëve policorë për keqtrajtimin e 16-vjeçarit nga Peja

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj E.L. dhe A.B., dy zyrtarëve policorë të dyshuar për keqtrajtimin e një 16-vjeçari nga Peja gjatë ushtrimit të detyrës së tyre zyrtare, raporton Gazeta Sinjali.

Të dyshuarit ishin suspenduar nga detyra e tyre dhe iu ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak në afat kohor prej 30 ditësh.

Pas përfundimit të hetimeve, prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj tyre në drejtim të disa veprave penale.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

“Kundër zyrtarëve policorë me inicialet E. L. dhe A. B. është ngritë aktakuzë për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 par. 3 e lidhur me nënpar. 3.1 dhe nenin 31 të KPRK-së, veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195 par. 2 e lidhur me par. 1 të KPRK-së si dhe veprën penale të “Kanosjes” nga neni 181 par. 1 të KPRK-së” tha Nikçi.

Lidhur me këtë rast, Gazeta Sinjali ka raportuar edhe më parë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.