Zbulo të panjohurën

Për dy muaj mbi 9 mijë e 500 raste të gripit në Kosovë

Prej datës 1 tetor e deri më 4 dhjetor sivjet në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 9 mijë e 545 raste të dyshimta me grip, 1 mijë e 504 raste infeksione respiratore akute dhe 9 raste me infeksion të rëndë respirator akut (SARI).

Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës me përjashtim të komunave me popullatë serbe.

Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës, por nuk kalon pragun epidemik.

Prej periudhës së lartëcekur në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë testuar gjithsej 25 mostra të dyshimta me grip.

Në Qendrën Kombëtare të Gripit të mërkurën janë izoluar dy rastet e para të gripit tipi A.

Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar në Klinikën Infektive- SHSKUK janë të hospitalizuar dy raste pozitive me gripin A në gjendje stabile shëndetësore, njëri nga rastet ka edhe sëmundje të tjera shoqëruese me infiltratio pulmonum, HTA, ICV, Hiperplazio prostate, Insuficiencë renale.

Instituti Kombëtar ka apeluar të gjithë drejtorët rajonalë të shëndetësisë publike të ngrihet niveli i vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.

Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se virusi A bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm sezonal.

Si të mbroni veten dhe të tjerët: • Të vaksinohen të gjithë personat e moshuar mbi 65 vjet dhe personat me sëmundje kronike në të gjitha qendrat e mjekësisē familiare • Të redukohet numri i vizitave të familjarve tek personat të hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale). • Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz. • Nëse keni shenja te gripit, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore • Nëse keni shenja të gripit mbani distancë të paktën 1 metër prej njerezve • Mbuloni hundën dhe gojën me faculetë në rast të kollës apo teshtitjes. • Shmangni prekjen e syve hundës apo gojës me duar të papastruara • Nëse keni shenja të gripit, mos shkoni në punë, shkollë apo vende me shumë njerëz, por qëndroni në shtëpi • Shmangni përqafimin, puthjen dhe shtrëngimin e duarve kur përshëndeteni • Hidhni faculetën në vendin e duhur menjëherë pas përdorimit • Pastroni rregullisht duart me ujë dhe sapun dhe dezinfektoni mjediset ku qëndroni • Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina dhe bëni aktivitet fizik.