Zbulo të panjohurën

Prishtinë/ Gjobiten tri lokale për shkelje të masave antiCOVID-19

Tri lokale të gastronomisë janë gjobitur për shkak të mos respektimit të vendimit me të cilin ndalohet puna prej orës 21.00 deri 05.00 të mëngjesit, në komunën e Prishtinës nga Drejtoria e Inspeksionit.

Në ditën e parë të zbatimit të masave të reja të kufizimit të punës së lokaleve të gastronomisë, drejtori i Inspeksionit të Prishtinës Adonis Tahiri, tha se shumica e lokaleve kanë qenë të mbyllura pas orës 21.00.

“Mbrëmë kemi zhvilluar një aksion të gjerë bashkë me inspektoratet tjera nga niveli qendror dhe bashkë me Policinë e Kosovës, me ç’rast janë shqiptuar edhe gjoba në secilin biznes ku janë vërejtur shkelje të masave të fundit që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës. Gjatë këtij aksioni, Policia e Kosovës i ka ndaluar edhe këmbësorët, ua ka marrë të dhënat dhe ata do t’i marrin gjobat nga Inspektorati sanitar i AVUK-ut”, tha ai.

Tahiri tha se vendimi i qeverisë për kufizim të punës për lokalet e gastronomisë është respektuar nga shumica e lokaleve në kryeqytet, e që ka ndikuar që të mos ketë numër të madh të gjobave. Megjithatë, ai thotë se edhe në ditët në vijim do të jenë të pa kompromis ndaj atyre që nuk e respektojnë vendimin.

“Pjesa dërmuese e tyre kanë qenë të mbyllura, kësisoj kemi shqiptuar një numër të vogël të gjobave, mirëpo ne siç kemi paralajmëruar edhe dje kudo që hasim të hapur pas orës 21.00, automatikisht shqiptohet gjoba, e cila shkon përmes gjykatës bazuar në ligjin të cilin po e zbatojmë”, tha ai.

Duke qenë se tashmë është formuar trupa koordinuese për inspektime për zbatimin e masave për luftimin e COVID-19, Tahiri thotë se kjo do të ndikojë që aksionet të jenë më të suksesshme.

“Mund të them lirisht që sukseset e para veç janë vërejtur mbrëmë në 4 komunat ku kemi vepruar bashkërisht, përfshirë Prishtinën, Ferizajn, Vushtrrinë dhe Prizrenin dhe i njëjti aksion do të vazhdojë ditëve të tjera kur kemi parasysh që në këto katër komuna ka ndalim të qarkullimit të lëvizjes pas orës 21”, tha ai.

Sa i përket respektimit të rekomandimeve të institucioneve shëndetësore gjatë ditës nga lokalet e gastronomisë, Tahiri thotë se gjatë kësaj periudhe kohore kanë probleme më të mëdha për shkak të frekuentimit më të madh të qytetarëve në lokale.

“Gjatë ditës kemi probleme më të mëdha për shkak të qarkullimit më të madh të qytetarëve, mirëpo ne me ekipet tona dhe inspektorët në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës po mundohemi të arrijmë në secilin pjesë të qytetit, në mënyrë që t’i detyrojmë secilin që t’i zbatojë këto masa. Duhet ta kemi parasysh që këto masa nuk janë kundër askujt, janë për qëllimin e vetëm për ruajtjen e shëndetit”, tha ai.

Tahiri u ka bërë thirrje lokaleve të gastronomisë që të respektojnë rregullat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

Qeveria e Kosovës të dielën ka marrë vendim për kufizim të lëvizjes për qytetarët e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe Vushtrrisë, si komunat me numrin më të madh të të prekurve me COVID-19. Ndërsa, ka ndaluar punën për gastronominë në të gjithë territorin e Kosovës nga ora 21 deri në orën 5 të mëngjesit.