Zbulo të panjohurën

Qesharake: Të gjitha partitë pretendojnë se sondazhet i nxjerrin në vend të parë

Besnik Tahiri, koordinator nacional për reforma shtetërore në Qeverinë Haradinaj, ka thënë se partia e tij AAK, sipas sondazheve, është e para në vend. Ai i është shtuar listës së zyrtarëve partiakë në vend që thonë se partitë e tyre janë të parat, sipas sondazheve.

Në një postim në Facebook, Tahiri ka thënë se AAK do të fitonte mbi 22 për qind të votave sikur të mbaheshin sot zgjedhjet. Kjo ka thënë se do ta nxirrte AAK-në si parti numër një në vend.

“Me AAK-në të Parën, Qytetarët të Parët, Kosova e 100 % e Para! Në bazë të sondazheve të fundit, të jashtme, të opinionit publik, sikur zgjedhjet të mbaheshin sot, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të fitonte mbi 22 përqind të votave. Kjo do ta nxirrte AAK-në, partinë numër 1 në vend, pra fituese të zgjedhjeve. Sipas sondazhit, kjo lidhet fortë me përkrahjen që qytetarët i japin punës dhe politikave qeverisëse të Kryeministrit Ramush Haradinajt, me përkrahje të mbi 55% të tij, dukshëm larg liderëve të partive tjera”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Sipas tij, AAK-ja është në trend rritje dhe presioni mbi këtë parti është pozitiv.

“Kur kësaj i shtohet fakti që projeksionet e sondazhit flasin për trend në rritje të Aleancës, atëherë presioni mbi ne si subjekt është pozitiv, pra që të bëjmë më shumë, ndërsa mbi disa parti tjera është presion negativ. Ato duhet të bëjnë çmos ta ndalin rënien, të mos dështojnë. Aleanca nuk i referohet sondazheve të jashtme, pa i ekzaminuar, validuar dhe krahasuar ato me sondazhet e brendshme të saj. Si Aleancë, kur shohim këtë mbështetje në rritje për ne dhe për Lidershipin e Ramush Haradinaj, ne ju garantojmë që nuk do të ndalemi në përpjekjet dhe kursin e qartë, në shtyrjen përpara të interesave të shtetit dhe të qytetarëve tanë”, ka shtuar më tej Tahiri.

Ditë më parë, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se partia e tij është e para, me dy për qind para LDK-së, partia që ka më së shumti deputetë në Kuvend.

“Në sondazhet e fundit partia e parë është PDK-ja. PDK-ja në sondazhet e fundit është 2 për qind para LDK-së dhe kjo diferencë do të rritet edhe pas 3 gushtit (datën e mbajtjes së kuvendit zgjedhor të LDK-së) edhe në fushatë. Vetëvendosje nuk besoj se mund të arrijë më shumë se sa 15-16 deputetë, bazuar në performancën dhe përçarjen e tyre”, kishte thënë Haxhiu më 1 gusht për televizionin publik.

Edhe LDK edhe Vetëvendosje janë shprehur qe një kohë të gjatë se janë partitë e para në vend. Eksponentë të të dy partive kanë thënë nëpër paraqitje publike se, sipas sondazheve, janë të parët me përqindje.

Zyrtarë të Nismës kanë nisur një fushatë në rrjete sociale me “10+” që tregon synimin e tyre për të marrë 10 për qind në zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa, deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se partia e tij do të jetë befasi në zgjedhjet e ardhshme.

Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit më 19 korrik për të pranuar ftesën për intervistim në Hagë nga Gjykata Speciale. Ai menjëherë ftoi presidentin Hashim Thaçi që të nisë diskutimet për të caktuar datën e re të zgjedhjeve. Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thirrur për të hënën mbledhje të kryesisë së Kuvendit në të cilën do të caktohet seanca për shpërbërjen e Kuvendit.