Zbulo të panjohurën

Sekretarja e Trump-it bën gafën e parë, publikon çekun me të dhënat bankare të presidentit

Sekretarja për medie e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, e ka bërë një gafë ende pa i mbushur dy muaj në detyrën e re, duke e vendosur para kamerave një çek me të dhënat personale bankare të presidentit Donald Trump.

Kjo gjë ndodhi përderisa ajo po e jepte njoftimin që një e katërta e pagës vjetore të kreut të Shtëpisë së Bardhë, që nënkupton shumën prej 100 mijë dollarëve, do të dhurohet për Departamentin e Shëndetësisë, shkruan “New York Times”, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, sekretarja McEnany gjatë këtij njoftimi duket se zbuloi më shumë sesa ka qenë e thirrur të zbulojë, duke shfaqur para kamerave dhe aparateve fotografike çekun me të dhënat e plota bankare, përfshirë numrin e xhirollogarisë private të presidentit.

Besohet se me të dhënat e publikuara mund të tërhiqen ose depozitohen të holla, të bëhen blerje përmes internetit ose të kryhet një sulm nga hakerët.

“Nuk është praktika më e mirë që të shpërndahen këto të dhëna publikisht. Nëse nuk keni mbrojtje, ka skema të sofistikuara me të cilat dikush mund të fitojë qasje në ato fonde”, tha Eva Velasquez, kryetare e Qendrës Burimore për Vjedhjen e të Dhënave të Identitetit.