Zbulo të panjohurën

Specialja për kohëzgjatjen e intervistimit të Thaçit: Ai është i vetmi burim informacioni për këtë çështje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot do të paraqitet para Prokurorit të Specializuar në Hagë për t’i dëgjuar dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij lidhur me akuzat e rënda të publikuara rreth 3 javë më parë.

Gazeta Sinjali ka pyetur në Zyrën e Prokurorit të Specializuar nëse Thaçi mund të qëndrojë më gjatë në Hagë, për t’u intervistuar për disa ditë me radhë, siç kishte ndodhur me disa ish-pjesëtarë të UÇK-së që ishin intervistuar më herët.

Chris Bennett nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se për këtë çështje, burim i vetëm i informacionit është Hashim Thaçi dhe se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dhënë dhe nuk do të japë asnjë informacion për këtë.

“Burimi i vetëm i informacionit për këtë çështje është Hashim Thaçi. Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dhënë asnjë informacion dhe nuk do të japë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dërguar Gazetës Sinjali.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ua ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim nga Gjykata, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndër të cilat vrasje, zhdukje e detyruar të personave, përndjekje dhe tortura.

Prokurori i Specializuar pretendon se Thaçi, Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës, si dhe kundërshtarë politikë.

Në një deklaratë për shtyp, Prokurori i Specializuar kishte thënë se aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.

Prokurori i Specializuar e kishte vlerësuar të domosdoshme nxjerrjen e njoftimit publik për akuzat për shkak të, siç thuhet, përpjekjeve të përsëritura të Thaçit dhe Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara.

Tashmë, një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara është duke e shqyrtuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.