Zbulo të panjohurën

S’pranohet reforma, nxënësit në disa fshatra të Kamenicës nuk po mbajnë mësim

Janë fëmijë nga Kamenica që po shkojnë në shkollë. Të martën në ditën e dytë të mësimit, do të duhej që këtyre fëmijëve t’iu bashkohen edhe nxënësit nga shkolla fillore”Hasan Prishtina”, të fshatit Busavatë.


Por, Leon Maliqi, nxënës i klasës së pestë i kësaj shkolle, nuk ka mbajtur as një orë mësimi. Ai po shëtitet nëpër fshat me biçikletë.

Refuzimit për të shkuar në shkollën “Fan Noli” në Kamenicë i janë bashkuar edhe 103 nxënësit tjerë nga Busavata.

Arbresha Maliqi, u kthye mbrapshtë pasi në objektin e ri të shkollës me vendim të Komunës, nuk lejohet mbajtja e mësimit.

Janë prindërit e këtyre nxënësve që po protestojnë prej ditësh, duke kërkuar që fëmijët të vazhdojnë mësimin në shkollën e fshatit.

Prindërit pohojnë se janë fëmijët që po refuzojnë reformën e nisur nga kryetari Qendron Kastrati.

Brenda objektit të ri të shkollës, gjithçka është gati për fillimin e mësimit në kushte pandemia.

Drejtori i shkollës, Abedin Maliqi, thotë se nuk do të respektojnë vendimin për riorganizim.

Por, në Komunën e Kamenicës mohojnë çdo mundësi që ky vendim të ndryshojë.

Qendron Kastrati, kryetar i Kamenicës, thotë se nxënësit e kësaj shkolle do të vijojnë mësimin në Kamenicë, e jo në Busavatë.

Të martën, automjeti i kontraktuar për te kryer transportin e nxënësve të Busavatës u kthye i zbrazur në Kamenicë.

Ky automjet shoqërohej nga një patrullë e Policisë së Kosovës, për të evituar ndonjë incident të mundshëm me banorët.