Zbulo të panjohurën

Thaçi përmendi dorëheqjen, deri në këtë muaj Specialja ka afat për ta konfirmuar aktakuzën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në adresimin e tij për media pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale për krime lufte, tha se do të japë dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza ndaj tij.

“Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat. Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë. Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam”, ka thënë Thaçi në videomesazhin e tij drejtuar qytetarëve.

Gazeta Sinjali ka pyetur Zyrën e Prokurorit të Specialuzar rreth afatit për të konfirmuar këtë aktakuzë.

Christopher Bennett nga kjo Zyrë deklaroi se gjykatësi i procedurës paraprake ka 6 muaj afat për ta konfirmuar ose jo këtë aktakuzë.

“Ne nuk japim informacione për individët që ju po kërkoni. Për të qenë të saktë, Dhomat duhet të japin informacione mbi punën e gjykatësit të procedurës paraprake, jo unë, pasi unë punoj vetëm për Zyrën e Prokurorit. Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, gjykatësi i procedurës paraprake ka gjashtë muaj për ta shqyrtuar një aktakuzë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Gazetën Sinjali.

Zyra e Prokurorit Special ka njoftuar se aktakuza ndaj Thaçit dhe kreut të PDK-së, Kadri Veselit është ngritur më 24 prill 2020.

Gjashtë muaj nga kjo datë, i bie që aktakuza do të konfirmohet në tetor të këtij viti.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzën e ngritur nga Prokurori i Specializuar përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës, si dhe kundërshtarë politikë.

Në një deklaratë për shtyp, Prokurori i Specializuar tha se aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.

Tashmë, një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara është duke e shqyrtuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.