Zbulo te panjohurën

Ushtrimet mund të na sjellin më shumë lumturi, sesa paratë

Tani është zyrtare: Ushtrimet mund t’ju bëjnë më të lumtur, sesa paratë, janë këto rezultatet e disa studimeve që e tregojnë lidhjen midis lumturisë dhe ushtrimeve. Nëse jeni një nga ata persona që nuk ushtrojnë, ne ju sjellim disa arsye për t’ju motivuar dhe për t’ia filluar.

Hulumtuesit besojnë se ushtrimet mund t’ju bëjnë të lumtur po aq sa edhe rritja e të ardhurave për 25.000 dollarë.

Në këtë studim, hulumtuesit nga Yale dhe Oxford i anketuan rreth 1.2 milionë amerikanë në lidhje me rutinën e tyre të përditshme të ushtrimeve, duke mbledhur të dhëna për gjininë, të ardhurat, statusin martesor dhe historinë e tyre shëndetësore, shkruan Koha Ditore. Kjo i ndihmoi ata ta gjejnë një lidhje direkte midis lumturisë dhe aktivitetit fizik.

Sipas rezultateve, personat që ushtrojnë kanë gjendje mendore 43 për qind më të mirë, sesa ata që nuk ushtrojnë. Hulumtuesit zbuluan se, në fakt, aktiviteti fizik i shtyri të anketuarit ta vlerësojnë shëndetin e tyre mendor në një mënyrë të ngjashme me njerëzit që i fituan 25.000 dollarë më shumë se ata.

Nga ky studim, gjithashtu, arritën në përfundimin se ushtrimet e tepërta mund të jenë po aq kontraproduktive për shëndetin tuaj mendor sa edhe të mosushtruarit fare. Prandaj, për të qenë të lumtur, nuk është e nevojshme të ushtroni non-stop. Hulumtuesit hasën në rezultatet më të mira tek njerëzit që ishin fizikisht aktivë midis 30 dhe 60 minuta pesë herë në javë.

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se njerëzit që ushtrojnë në grupe ose marrin pjesë në sporte ekipore gjithashtu kanë shëndet më të mirë mendor, sesa ata që ushtrojnë vetëm.