Zbulo te panjohurën

Viti, strehohen 6 familje të ardhura nga Shqipëria

Me një vendim të kryetarit të komunës Sokol Haliti, përpos që është formuar Komisionin Komunal për mbledhjen e ndihmave për Shqipëri, gjithashtu është formuar edhe Komisionin Komunal për regjistrimin e qytetarëve të ardhur nga Shqipëria në Komunën e Vitisë.

Këto dy komisione janë takuar dhe kanë bashkërenditur aktivitetet që do të realizojnë në mbështetje të qytetarëve të Shqipërisë. 

Koordinatori për regjistrimin e të ardhurve nga Shqipëria, Sami Demelezi, ka bërë të ditur se deri më sot janë regjistruar 6 familje në Viti, të cilat janë vendosur në familjet mikpritëse vitiase.

Ndërkohë ka bërë apel që në rast se ka qytetarë tjerë që kanë ardhur apo do të vijnë, të lajmërohen tek ky komision për regjistrim.

Gjatë ditës së djeshme, disa anëtarë të dy komisioneve kanë vizituar familjet e ardhura në fshatin Remnik dhe në Viti, ku janë njohur për së afërmi me nevojat e tyre.

Gjithashtu, ju është ofruar edhe mbështetja shëndetësore sipas nevojës.

Komisioni për mbledhjen e ndihmave vazhdon me aksionin deri me 6 dhjetor, ku mbledhja e ndihmave është duke u bërë nga Shoqata “Nënë Tereza” dhe OJQ “Kryqi i Kuq”, tek objekti i zjarrfikësve në Viti.